
DUŠKO LOPANDIĆ
Member of the Council
European Policy Centre – CEP
Evolucioni i njeriut është shoqëruar me zhvillimin e mjeteve që disi kanë përfaqësuar zgjatjen ose forcimin e trupit të tij, kryesisht të gjymtyrëve dhe të muskujve. Kështu, thika prej guri, shkopi, shati, shtiza ose shigjeta e forcoi dhe e zgjati dorën e njeriut. Mjetet dhe makineritë e rritën forcën e tij, ndërsa kafshët, si kuajt, ose automjetet, nga barkat e veturat e deri te aeroplanët, e shtuan shpejtësinë e tij. Dylbitë, llupa zmadhuese, mikroskopi, teleskopi, megafoni, mikrofoni…të gjitha janë mënyra për ta forcuar dhe rritur gamën e aftësive tona natyrore, siç janë shqisat
Nëse ngritja e aftësive njerëzore ishte e lidhur ngushtë me talentin e jashtëzakonshëm të species tonë për të përdorur mjedisin për qëllimin e tij-objektet dhe kafshët-si dhe për të krijuar mjete që do të rrisin me të madhe forcën fizike dhe fuqinë, disi më i ngadaltë ishte evolucioni i mjeteve ndihmëse që do të përcillej me tiparin kryesor të species tonë që na ndan neve nga të afërmit tanë në radhët e kafshëve-vetëdija dhe mendimet tona – d.m.th., me funksionin e organit kryesor të homo sapiensit: trurit.
Këtu do të kapërcejmë pyetjen interesante rreth përdorimit të ilaçeve natyrore si mënyrë në të cilën shamanët, magjistarët dhe priftërinjtë e parë ishin përpjekur ta ngrisnin ose ndryshonin vetëdijen dhe të gjenin mënyra të veçanta për të arritur thelbin e gjërave ose botën e ndrydhur, të atillë që është përtej vëzhgimit të përditshëm.
Përdorimi i numrave, d.m.th., matematika, si dhe shpikja e shkrimit-zbulimet që ndodhën nga këndi i evolucionit pothuajse dje – ishin faza të mëdha në zhvillimin e mjeteve ndihmëse që ishin një lloj mjeti për trurin, ose aftësia e tij për të njohur mjedisin dhe botën..
Ndonëse alfabeti përfaqësonte një etapë të madhe në zhvillimin e kulturës dhe të civilizimit, Platoni përsëri ankohej për pasojat e tij negative për të menduarit njerëzor. “Nëse njerëzit mësojnë të shkruajnë, ata do të mbjellin harresën në shpirtrat e tyre”, thotë në Fedra, “ata nuk do ta përdorin më kujtesën, sepse do të mbështeten te fjala e shkruar”. Sidoqoftë, Platoni shkon më tej dhe thekson se mendimi i regjistruar bëhet një mendim i ngrirë, d.m.th., sikur ai pushoi së menduari. Ai e krahason mendimin e shkruar me pikturën: asnjëri prej tyre nuk do të përgjigjet, nëse i bëni një pyetje me zë të lartë. Prandaj, i gjallë është ai që shqiptohet. Platoni besonte, se vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, d.m.th., bisedës dhe dialogut të gjallë filozofik, ne mund t’i afrohemi të vërtetës.
Me teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit, si interneti, kompjuterët dhe telefonat inteligjentë – për të mos përmendur këtu të ashtuquajturën inteligjencë artificiale – ka një revolucion të ri në evolucionin e specieve njerëzore – kryesisht në nivelin njohës, d.m.th., vëzhgimi, vetëdija dhe të menduarit. Ajo që ne e quajmë realitet virtual është, në një farë mase, përgjigje ndaj kundërshtimit të Platonit: me internetin dhe rrjetet sociale, fjala e shkruar ka lëvizur nga letra në ekran dhe – ajo ka marrë jetë. Nga tani e tutje, një mendim i shkruar mund t’i përgjigjet pyetjes tuaj, nëse e dërgoni në mënyrën e duhur.
Nga ana tjetër, nuk ka dyshim se teknologjitë e reja, në mënyrën e tyre, ndikojnë në perceptimin e mjedisit, perceptimin e realitetit dhe mënyrën e sjelljes së trurit tonë dhe si ai vjen në përfundime. Për aq sa interneti dhe mjetet e ndryshme të TI-së, si disa super-shtiza virtuale, na lejojnë të hedhim informata, mendime, ide, më shpejt dhe më tutje, ai po ashtu mund të veprojë në drejtim të relaksimit shpirtëror dhe përtacisë mendore, duke e dobësuar aftësinë e trurit tonë për të përdorur dhe zhvilluar algoritmet tona natyrore, të cilat ne i quajmë asociacione të mendimit.
Njeriu, si çdo kafshë tjetër, natyrshëm është dembel (gjë që është logjike, sepse e ruan energjinë e trupit) përveç nëse rrethanat (në parim, kërkimi i ushqimit, si dhe stimujt seksualë për të ripërtërirë speciet) e detyrojnë atë për të kundërtën. Ashtu sikurse qerret dhe karrocat kanë ndikuar që një person të ecë më pak dhe kështu të përdorë më pak gjymtyrët e tij të poshtme, ashtu edhe mjetet nga interneti e kanë efektin që përdorimi i disa aftësive natyrore të trurit të zvogëlohet ose të mos përdoret fare. A ka ende njerëz që mund ta recitojnë përmendsh Kurorën e Maleve të Njegoshit, Kuranin ose qindra këngë të tjera popullore epike? Nëse ende ka njerëz të tillë, sa sish do të jenë në brezat e ardhshëm, që shohin ekranet e telefonave dhe të kompjuterëve të tyre?
Aktiviteti ynë i trurit tërthorazi po ngadalësohet, për shkak të tendencës së internetit për të na “ndihmuar”, gjë që vërehet jo vetëm në rastin e kujtesës, por edhe në çdo hap tjetër. Për shembull: me teknologjinë GPS, aftësia jonë për të mbajtur mend dhe për të naviguar në zonat urbane (kur ngasim makinën, përdorim hartën, etj.) është zvogëluar në mënyrë drastike; me Google, Wikipedia dhe burime të ngjashme informacioni dhe motorë kërkimi, prirja jonë natyrore për të hulumtuar dhe kërkuar informacione zvogëlohet që në fillimet e saj, dhe kurioziteti i mundshëm topitet; mënyra se si përdoren teknologjitë e reja po ashtu e zvogëlon dhe e shkurton vëmendjen dhe përqendrimin kur mendojnë ose debatojnë për një temë; me sasinë e madhe të informatave dhe të dhënave me të cilat vërshohemi, mënyra jonë të lexuarit dhe e analizimit të informatave po bëhet gjithnjë e më sipërfaqësore; me veçori të reja të shkrimit që mundësohen nga kompjuterët, si prerja dhe ngjitja [cut dhe paste] (p.sh. shkarkimi i tekstit të mëparshëm për përdorim në shkrime të tjera), tendenca jonë për të menduar më thellë dhe në mënyrë më të larmishme dhe për t’i interpretuar gjërat përmes shkrimit është zvogëluar, në vend që të forcohet, e kështu me radhë.
Në librin e tij, The Shallows, studiuesi amerikan N. Carr tërhoqi vëmendjen te fakti se leximi në internet ndikon negativisht në shprehinë e të ashtuquajturit lexim i thellë (leximi i përqendruar i teksteve më të gjata), dhe më pas të menduarit e thellë.
Prandaj, mbase nuk është çudi që të gjitha llojet e lajmeve të rreme, si teoritë e pazakonta konspirative dhe të tjera, përhapen nga rrjete të ndryshme sociale aq lehtë dhe shpejt, që nga lëvizja anti-vaksinim e deri te teoria e serbëve si “populli më i vjetër” që asnjëherë nuk ka lëvizur, që kanë qenë gjithmonë në Ballkan që nga kohërat më të lashta. Mungesa e kritikave që inkurajohet tërthorazi nga teknologjitë e Internetit, mund të kontribuojë në manipulime shumë më serioze, siç është vërejtur tashmë në disa raste të kompanive të Internetit (manipulimi i zgjedhjeve), d.m.th., një rritje e jashtëzakonshme e fuqisë dhe e ndikimit të diktatorëve ose “elitave të ndryshme në hije”, ata mund të përdorin informata masive (të dhëna të mëdha) dhe lehtësinë e qasjes tek secili përdorues i telefonave të mençur dhe internetit.
Një formë edhe më delikate dhe më e gjerë e varësisë njerëzore nga funksionet e motorëve të kërkimit qëndron në faktin se ne në mënyrë të pavetëdijshme kënaqemi në mënyra të kërkimit përmes algoritmeve të makinës, në vend të asociacioneve të lira të mendimit që janë një produkt dhe pasojë e aktiviteteve të lira të trurit. Në mënyrë të tërthortë, aplikimi i vazhdueshëm i algoritmeve në hulumtim mund të ndikojë në mënyrën se si ne i lidhim informatat dhe kërkojmë të vërteta të reja përmes asociacioneve. Me këtë, ne në mënyrë të pavetëdijshme gradualisht e pranojmë “skllavërinë” mendore nga një makinë.
Kujtesa, perceptimi, navigimi në hapësirë dhe mes informacionit, të menduarit kritik, aftësia për të menduar në mënyrë asociative dhe spekulative – dhe funksionet e tjera njohëse të trurit, mund të jenë disi të lëshuara në prani të internetit dhe të mjeteve të ndryshme të informacionit, veçanërisht me rritjen e inteligjencës artificiale, që do të pushtojë zona të tëra të të menduarit spontan.
Kështu, një vendim i fundit nga Ministria e Arsimit në Kinë për të ndaluar plotësisht hyrjen fizike të celularëve gjatë orëve të mësimit nuk është për t’u habitur.
Duket se “linja e fundit e mbrojtjes” e njerëzimit është në tek spontaniteti dhe intuita, të cilat shprehen përmes artit. Shkrimi i lirë, leximi i literaturës, piktura, krijimi i muzikës, madje edhe përdorimi i programeve dhe kompjuterëve për qëllime krijuese, mund të jetë pengesë kundër ndikimit negativ të përdorimit të tepruar të teknologjive të internetit. Po ashtu, të paktën një pushim i përkohshëm nga varësia prej telefonave inteligjentë, kompjuterëve dhe lidhjet e internetit, mund të përfaqësojë forma të reja të rekreacionit mendor, e domosdoshme kjo për ruajtjen e gjendjes së mirë mendore të një personi në shekullin 21.
Dr Duško Lopandić është diplomat dhe publicist, anëtar i Këshillit të Qendrës së Politikave Evropiane (CEP). Ai ishte Shefi i Misionit të Republikës së Serbisë në BE në Bruksel në periudhën e viteve 2013-2016.