MELISA H.MEHMEDOVIĆ
Fellow
Foreign Policy Initiative BH
Në fjalimin e tij drejtuar studentëve në ditën e parë të një viti të ri shkollor në Rusi në vitin 2017, Vladimir Putin përmendi çështjen e Inteligjencës Artificiale (IA), duke deklaruar se ajo përfaqëson mundësi të mëdha por po ashtu edhe kërcënime të paparashikueshme, dhe duke theksuar se “Kushdo që bëhet udhëheqës në këtë sferë do të sundojë botën”. Kjo ilustron shkallën në të cilën IA mund të jetë një ndryshues i mirëfilltë i lojës me një ndikim në bilancin e pushtetit që nuk duhet të neglizhohet, pasi mund të jetë vështirë të përmbyset.
Pra, çfarë është saktësisht IA? Thënë thjesht, IA mund të përkufizohet si shfrytëzimi i kompjuterëve me qëllim të riprodhimit të sjelljes njerëzore për të cilën nevojitet inteligjenca. Literatura ekzistuese shkencore përqendrohet kryesisht në zbatime të hollësishme të IA – një lloj specifik i algoritmeve që synojnë të kryejnë detyra të veçanta. Është pikërisht ky lloj i IA që shumë besojnë se ka më shumë të ngjarë të ketë një ndikim në ushtritë në kuptimin e përmirësimit të ritmit të luftimeve ndër-shtetërore.
Analistë të ndryshëm sugjerojnë që rezultatet e revolucionit të IA në nivelin global do të vëreheshin në një garë më intensive ndër-shtetërore dhe një zhvendosje në bilancin ekzistues të pushtetit. Disa madje pretendojnë se IA do të jetë subjekti i garës tjetër të hapësirës, që të kujton garën e shekullit të 20-të midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, vëmendja po fokusohet në faktin se shumë kompani që po bëjnë përparime thelbësore në fushën e IA-së po refuzojnë të jenë të lidhur me organizatat ushtarake. Si rezultat, nëse IA e udhëhequr nga nevoja tregtare vazhdon të stimulojë revolucionin teknologjik, të gjitha përparimet e bëra në IA pritet të shpërndahen më shpejt në të gjitha ushtritë e botës. Në të kundërtën, përparimet në IA që mbështeten në kërkime për qëllime ushtarake janë shumë më rezistente ndaj imitimit. Kjo automatikisht nënkupton që ushtria që arrin të fitojë avantazhin për të vepruar e para në zbatimin e IA-së është e detyruar të ruajë statusin e saj të favorshëm krahasuar me shtetet e tjera për një periudhë më të gjatë kohore. Në të njëjtën mënyrë, nëse ushtritë dominuese nuk arrijnë të integrojnë IA-në në strategjitë e tyre të sigurisë kombëtare, shanset që bilanci i pushtetit të përmbyset janë dukshëm më të mëdha. Aktualisht, përderisa Kina dhe Rusia po shpenzojnë para në kërkimin dhe zhvillimin e IA-së, me qëllim për të arritur dominimin ushtarak, SHBA-ja, ndonëse nuk është një kalimtare pasive, po lufton për të ruajtur reputacionin e saj si fuqia kryesore ushtarake në botë. Nga ana tjetër, shtetet e BE-së janë duke investuar pak në H&ZH të IA-së.
Edhe pse gara ndërkombëtare nuk është se favorizohet, një përparim i madh në IA në duart e duhura mund të jetë në të vërtetë një faktor stabiliteti për të gjithë sistemin, ashtu si armët bërthamore. Gjatë Luftës së Ftohtë, ato, nga shumëkush, u përshkruan si të tilla. Doktrina e Shkatërrimit të Siguruar Reciprok (MAD) ishte ngulitur thellë në mendjet e udhëheqësve të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht nga krizat e shumta që kishin ndodhur, asnjëra prej tyre nuk rezultoi në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak ose një luftë bërthamore, e cila është emblematike e frikës së asgjësimit reciprok që drejtoi lëvizjet e udhëheqësve të të dy palëve. Meqenëse një zbulim i madh në IA do të siguronte një burim të madh të fuqisë për këdo që e bën atë, është me rëndësi të madhe që shtetet autoritare të mos arrijnë atje së pari. SHBA-ja duhet të mbajnë ritmin e saj dhe vendet e BE-së duhet të rrisin lojën e tyre nëse duan të shihen si një lojtar i rëndësishëm global në sistemin i cili së shpejti mund të rregullohet nga IA.
Duke marrë parasysh se perceptimet dhe interpretimet e IA dhe Sistemeve të armëve vdekjeprurëse autonome (LAWS) janë të ndryshme, përkundër paqartësisë së rregullave për t’u marrë me IA, ose mungesës së tyre, mund të konkludohet se bota është ende në një fazë kritike në lidhje me këto pajisje teknologjike. Në mënyrë që të adresohet rëndësia në rritje e IA, ajo që tani është e nevojshme është një përpjekje e unifikuar e shumë aktorëve. Përveç agjencive qeveritare, duhet të përfshihen organizatat e shoqërisë civile, institutet kërkimore dhe bizneset private, si dhe media. Po aq e rëndësishme është komunikimi i rëndësisë në rritje të IA, si dhe ndikimi i saj i mundshëm në marrëdhëniet ndër-shtetërore, përmes kanaleve të diplomacisë publike. Përveç kësaj, është e nevojshme të angazhohen shtetet e tjera në dialog dypalësh dhe shumëpalësh në mënyrë që të rishikohen perspektiva të ndryshme mbi çështjen në fjalë, dhe gjithashtu të punohet drejt përafrimit të përgjigjeve të politikave. Për më tepër, çdo veprim i koordinuar që mund të ketë për qëllim kundërshtimin e rreziqeve që lidhen me IA duhet të kryhet përmes organizatave ndërkombëtare, të cilat në të njëjtën kohë mund të hapin rrugën drejt vendosjes së të drejtës ndërkombëtare detyruese në këtë fushë.
Megjithëse aplikimet ushtarake të IA janë ende në fillimet e tyre dhe është e vështirë të bëhen parashikime se cilat do të jenë efektet e saj, ajo për të cilën shumica e studiuesve dhe ekspertëve mbi këtë temë mund të bien dakord është se IA është një forcë për t’u marrë në konsideratë. Në vazhdën e kësaj, zhvillimi i saj nuk duhet të lihet i pakontrolluar; përkundrazi, kërkon vëmendjen tonë dhe një rivlerësim të vazhdueshëm të ndikimit të saj të mundshëm. Për më tepër, është e rëndësishme që të gjitha masat e marra të pasqyrojnë natyrën delikate të çështjes në fjalë. Ndërsa merren vendime që synojnë rregullimin e këtyre teknologjive, aktorët kryesorë duhet të kenë parasysh se teknologjitë e IA janë thikë me dy tehe, dhe të mos lënë pas dore as përfitimet që mund të burojnë nga përdorimi i tyre e as efektet e tyre potencialisht shkatërruese.