Njëzet e pesë vjet pas përmbysjes së regjimit komunist totalitar të Enver Hoxhës, shqiptarët kanë të drejtë të ndihen krenarë për arritjet politike dhe ekonomike që ka shënuar vendi i tyre. Janë zhvilluar tetë zgjedhje parlamentare që nga viti 1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike. Shqiptarët, përgjithësisht, i kanë pranuar normat demokratike dhe demokracia shihet si sistemi ideal politik. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe ndarja e pushteteve janë të mishëruara në Kushtetutë. Zbatimi i reformave ka sjellë rritje ekonomike të qëndrueshme, përmirësime në infrastrukturë, dhe ulje të varfërisë. Dhe ndërsa niveli i angazhimit qytetar nuk është shumë i lartë, roli i shoqërisë civile po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm dhe në disa raste ajo ka arritur të ndikojë në procesin vendimmarrës të qeverisë.
Megjithëse këto arritje, Shqipëria e gjen veten në udhëkryq. Ajo vlerësohet shumë më ulët se shumica e ish-vendeve të bllokut sovjetik dhe republikave jugosllave për treguesit e demokracisë, dhe ende nuk ka krijuar një sistem mire funksionues demokratik. Shqipëria vuan më shumë se vendet e tjera që kanë kryer tranzicionin nga komunizmi në një sistem shumë partiak Detyra e Shqipërisë është të intensifikojë punën për të forcuar shtetin ligjor, për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për funksionimin e duhur të institucioneve të shtetit, për të pastruar Parlamentin nga elementët kriminalë dhe të korruptuar, dhe për të realizuar reforma të thella në drejtësi.
Ka shumë faktorë që shpjegojnë përparimin e dobët demokratik të Shqipërisë: mungesa e një kulture demokratike, trashëgimia komuniste, dhe dobësia ekonomike. Por, pa dashur të minimizoj rëndësinë e tyre, nuk ka asnjë dyshim se shumë prej vështirësive me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve dhe vendimeve të elitave të saj qeverisëse. Gabime, dështime, politika jo të drejta, dhe raste të humbura kanë qenë tipare të përbashkëta të qeverive demokrate edhe të atyre socialiste. Shqipëria ndeshet me një numër sfidash të ndërlikuara. Ato do të vënë në provë aftësitë udhëheqëse të politikanëve të tanishëm dhe do të përcaktojnë nëse Shqipëria do të arrijë të konsolidojë plotësisht demokracinë e saj. Çështja më jetike mbetet ekonomia. Shqipëria renditet mes vendeve më të varfra në rajon, me papunësi të lartë dhe mundësi të kufizuara ekonomike. Rreth 20 për qind e popullsisë është larguar nga vendi që nga fillimi i viteve ’90. Dhe, siç kemi parë me valën e fundit të emigrantëve, Shqipëria po humbet shumë nga qytetarët e saj të edukuar dhe në moshë të re – që janë pjesa më vitale e popullsisë. Humbja e shpresës dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike, janë tregues që Shqipëria mund të jetë në prag të humbjes së garës mes mundësive ekonomike dhe pakënaqësisë.
Korrupsioni, paligjshmëria e përhershme dhe dështimi për të forcuar shtetin ligjor, përbëjnë një kërcënim serioz për vetë ekzistencën e demokracisë në Shqipëri. Korrupsioni ka hedhur rrënjë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Mbajtja e një posti publik ose në administratë është kthyer në rrugën më të mirë për t’u pasuruar. Pasuria dhe pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël. Drejtësia shihet si një nga institucionet më të korruptuara në Shqipëri. Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mishërohen më së miri tek kriminalizimi i Parlamentit dhe te paturpësia se si zyrtarët përpiqen për të ndikuar te vendimet e gjykatave. Rrallë ndodh që zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar të ndëshkohen për abuzim pushteti, korrupsion apo shkelje të tjera. Prandaj nuk është për t’u habitur që publiku nuk ka shumë besim te fushata e qeverisë kundër korrupsionit dhe te kryerja e reformave të thella në drejtësi.
Media në Shqipëri ka bërë pak përparim drejt të qenit një pushtet i katërt funksionues. Shumica e mediave janë të lidhura me qeverinë ose me parti apo politikanë të caktuar. Ndonëse qeveri të ndryshme e kanë shpallur veten si kampionë të shtypit të lirë, shpesh ato kanë ushtruar trysni me forma të ndryshme ndaj mediave, si mosdhënie reklamash, apo duke u bërë trysni pronarëve ose bizneseve të tyre. Vendosja e një shtypi vërtet të lirë do të kërkojë që gazetarët t’i mbrojnë më me forcë të drejtat e tyre. E lidhur ngushtë me këtë, është nevoja që gazetarët t’u qëndrojnë besnik standardeve profesionale të gazetarisë. Nevojitet një ndarje e dukshme mes medias dhe vullnetit për të siguruar integritetin redaksional dhe pavarësinë e shtypit.
Shqipëria ende nuk ka arritur të zëvendësojë klientelizmin dhe interesat partiake, me meritokracinë për punësimet në administratën publike. Dallimet ideologjike mes partive kryesore politike janë ngushtuar ndjeshëm. Ndërsa pranohet gjerësisht se pushteti politik mund të fitohet në mënyrë të ligjshme vetëm nga kutitë e votimit, zgjedhjet në Shqipëri shoqërohen me dramë të madhe. Ato shihen si një betejë për jetë a vdekje, vetëm me fitues e të mundur, dhe jo si një garë mes platformave politike.
Në parlament, debatet janë kthyer në një teatër politik. Fyerjet vulgare, shpifjet dhe gënjeshtrat janë bërë pjesë normale e debatit politik. Kjo retorikë armiqësore dhe provokuese ka krijuar një atmosferë toksike në parlament, që nuk e ndihmon debatin demokratik. Njëzet e pesë vjet më parë, ne te “Zëri i Amerikës” mund të intervistonim në periudha krizash të thella personalitete të shquara, si Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare, deklaratat e të cilëve kishin ndikim. Sot, është vështirë të gjesh një personalitet që të pranohet si figurë bashkuese dhe një forcë e moderuar.
Sot, njëzet e pesë vjet pas përmbysjes së komunizmit, elita politike shqiptare e ka vetë në dorë të nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e së kaluarës dhe të krijojë një sistem ekonomik dhe politik gjithëpërfshirës, me mundësi për të gjithë, që ndërton një të ardhme që forcon demokracinë, shton transparencën dhe përgjegjësinë, dhe përkrah politika zhvillimi të qëndrueshme. Zbatimi i reformave rrënjësore kërkon udhëheqje të efektshme. Që Shqipëria të arrijë potencialin e saj dhe të gëzojë të mirat e plota të një demokracie të konsoliduar, udhëheqësit e saj duhet të vënë interesat e larta të vendit para interesave personale dhe të zbatojnë një spektër të gjerë reformash politike dhe ekonomike. Nëse dështojnë në këtë pikë, udhëheqësit shqiptarë do t’i mohonin popullit të tyre një të ardhme më të mirë.
Armando Lekaj, Shkodër, Shqipëri