Mjedisi, Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe përfshirja e të rinjve
Mjedisi është vendi në të cilin aktivitetet tona sociale, politike dhe ekonomike zhvillohen. Në këtë perspektivë është lënë jashtë fokusit ndikimi që gjithë aktiviteti ynë ka mbi mjedisin. Përgjatë viteve, duke shfrytëzuar mundësitë që burimet natyrore i kanë ofruar zhvillimit ekonomik (përmendim këtu që dhe Revolucioni Industrial lindi dhe si pasojë e rrjetit lumor të lundrueshëm në Angli) aktiviteti njerëzor ka pasur ndikim kryesisht negativ në mjedis. Si pasojë, lind nevoja për të menduar se si ne mund të zhvillojmë ekonominë duke qenë njëherazi miqësor me mjedisin.
Pse duhet të mbrojmë mjedisin
Duke u kujdesur ndaj mjedisit, njerëzit janë duke punuar mbi një çështje që sjell përfitime për ta, pavarësisht se mund të duket si proces që i kushton atyre kohë, para dhe burime të tjera.
Në vijim renditen disa nga arsyet pse konsiderohet e rëndësishme të punohet pro mbrojtjes së mjedisit:
- Një jetë më e shëndetshme, ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës ka ndikim negativ në shëndet. Këtë vit, për herë të parë zyrtarisht, u regjistrua vdekja e parë e shkaktuar drejtpërdrejtë nga ndotja e ajrit të një fëmije 9-vjeçar nga Britania e Madhe në 2013.
- Barazia ndër-brezore. Teori socio-ekonomike shprehen se natyrshëm (për altruizëm ose për arsye strategjike) njerëzit dëshirojnë të lënë trashëgimi. Trashëgimitë si paratë apo dhe asete të tjera nga brezi i vjetër tek më të rinjtë shërbejnë si transfertë burimesh dhe ndihmë për të rinjtë. Kjo vlen dhe për burimet natyrore. Nëse sot konsumohet në mënyrë racionale do të jetë e mundur që dhe brezat e ardhshëm të kenë akses në shfrytëzimin e mjedisit.
- Ruajtja e biodiversitetit është thelbësore për jetën e vetë species sonë. Në pamje të parë duket sikur humbja e biodiversitetit dëmton vetëm bashkëjetesën e gjallesave me njëra-tjetrën (p.sh. prishja e zinxhirit ushqimor të bretkosave nëse zhduken mushkonjat). Megjithatë përtej kësaj zhdukja e një gjallese të vogël sikurse janë bletët do t’i kushtonte shumë njerëzimit, një goditje e paimagjinueshme në bujqësi dhe në ofertën e ushqimeve.
- Pyjet janë esenciale për aktivitetet prodhuese. Druri është lëndë e parë për shumë procese prodhuese.
- Pemët kanë një sërë funksionesh të dobishme. Prodhojnë oksigjen dhe ngadalësojnë procesin e ngrohjes globale. Përveç këtij roli, pemët mbrojnë nga erozioni i dherave, mbrojnë nga përmbytjet, sigurojnë mbrojtje të mbjellave bujqësore nga era, shërbejnë si termobalancues për klimën, shërbejnë si habitat për shumë lloje gjallesash, etj.
- Mjedisi siguron punë për një numër të madh njerëzish të cilët e lidhin jetesën e tyre me të.
- Një mjedis i mbrojtur zgjeron potencialet për zhvillimin e turizmit.
Përgjigja e Bashkimit Evropian ndaj rëndësisë së mbrojtjes se mjedisit
Në 11 dhjetor 2019, Komisioni Evropian prezantoi Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, një strategji për ta bërë të qëndrueshme ekonominë e Bashkimit Evropian, duke i kthyer sfidat klimatike dhe mjedisore në mundësi për të gjithë fushat e politikave, si dhe duke e bërë tranzicionin të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Kjo marrëveshje ofron një udhërrëfyes me masa që do të mundësojnë përdorimin efikas të burimeve për kalimin në një ekonomi qarkulluese, ndalimin e ndryshimeve klimatike, ruajtjen e biodiversitetit dhe uljen e ndotjes. Sektorët e përfshirë janë transporti, energjia, bujqësia, ndërtimi dhe industritë e çelikut, çimentos, TIK, tekstilet dhe kimikatet. Në vetvete Marrëveshja e Gjelbër përfshin strategji që lidhen me transformimin dhe digjitalizimin e industrisë, me krijimin e një ekonomie qarkulluese, me strategjinë “farm to fork”, biodiversitetin, emetimet deri në 2030, me ambicien për ta bërë Bashkimin Evropian climate neutral deri në vitin 2050.
Përfshirja e të rinjve në aktivizëm mjedisor
Gjenerata Z, që përfshin të rinj dhe adoleshentë që kanë lindur pas 1996, mendohej se do të ishte thjeshtë brezi i digjitalizimit, por në fakt ata kanë solidaritet të lartë lidhur me kauza në të mirë të shoqërisë. Këtu mund të përmendim rastin e aktivistes adoleshente suedeze, Greta Thunberg, e cila me qëndrimin e saj, duke braktisur shkollën të premten për të protestuar për ndryshimet klimatike, frymëzoi qindra e mijëra të rinj kudo në Evropë duke krijuar së bashku lëvizjen “Fridays for Future”.
Të rinjtë, jetët e të cilëve do të ndikohen më shumë se të tjerët nga ndryshimet klimatike, duhet të gëzojnë të drejtën për të pasur zë në këtë çështje dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes edhe në mënyrë të institucionalizuar. Politikanët aktualë, veprimtaria e të cilëve lidhet me mjedisin, duhet të krijojnë një hapësirë për dialog të rregullt dhe kuptimplotë me të rinjtë mbi propozimet dhe strategjitë e politikave në fushën e klimës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Dokumente të konsultuara
https://www.conserve-energy-future.com/reasons-why-we-need-to-be-environmentally-conscious.php
https://www.nytimes.com/2020/12/16/world/europe/britain-air-pollution-death.html
https://www.businessinsider.com/no-more-insects-disappeared-earth-what-would-happen-2019-8
https://ec.europa.eu/info/strategy/priorities-2019-2024/european-green-deal_en
https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/e%20n/ip_19_6691
https://fridaysforfuture.org/what-we-do/who-we-are/
https://www.youthforum.org/european-green-deal-must-provide-meaningful-youth-participation
https://www.pewresearch.org/fact-tank/2019/01/17/where-millennials-end-and-generation-z-begins/
Biografi e shkurtër
Alesia Makaj – Ka përfunduar studimet e larta në Master i Shkencave në Ekonomiks dhe Studime Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës dhe Latvijas Universitate. Ajo është pjesë e Konrad Adenauer Stiftung Alumni, si bursante merite sur-place. Alesia është e interesuar mbi politikat publike lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm, çështjet mjedisore, integrimin evropian, arsimin, barazinë gjinore, migrimin dhe mbrojtjen e fëmijëve. Ajo është pjesë aktive e punëve vullnetare, aktiviteteve sociale dhe komunitare.