Blendina Selimi
“Rinia është e ardhmja e vendit”, e rëndësishme është që të rinjtë të mësojnë të jenë në politikë duke formuar lidhje me bashkësitë e tyre dhe duke përdorur mundësi në mjediset e jetës së tyre të përditshme. Cilësimet veprojnë si mini-politika përmes të cilave të rinjtë zhvillojnë një kuptim të asaj që do të thotë të jesh anëtar i një kolektivi. Mundësi kuptimplota për të praktikuar aftësi dhe sjellje politike mund të nxiten në shkolla dhe komunitete, përmes mediave sociale dhe përmes ndryshimit të politikave. Ngjarjet historike, veçanërisht zgjedhjet gjithashtu mund të ndikojnë në qëndrimet dhe sjelljet politike në mënyra të qëndrueshme. Ndryshueshmëria kulturore dhe kontekstuale në përvojat, qasja në mundësi dhe reagimet ndaj ngjarjeve historike formojnë rrugët politike të zhvillimit të rinisë.
Në këtë kontekst, ekziston një diskrepancë e madhe mes numrit të përgjithshëm të të rinjve të angazhuar në politikë. Duke qenë rreth gjysma e popullsisë së Kosovës, padyshim që rinia është faktor i pakapërcyeshëm në vendimmarrjen dhe politikëbërjen në vend, prandaj edhe është pjesë e diskursit publik të politikanëve tanë. Kjo pasi që jo vetëm politikat e ashtuquajtura rinore janë për të rinjtë. Në fakt, pothuajse secila politikë publike afekton në një mënyrë apo tjetër të rinjtë dhe jetën e tyre. Problem mbetet fakti që pjesa dërrmuese e të rinjve ushtrojnë rolin e tyre politik në përcaktimin e të ardhmes së tyre kryesisht vetëm në ditën e zgjedhjeve. Mosangazhimi aktiv i tyre në procesin politikbërës, veçanërisht përbrenda partive politike, u ka ofruar këtyre të fundit mundësinë që të rinjtë të flasin për të rinjtë dhe në emër të të rinjve, shpeshherë pa marr fare në konsideratë pikëpamjet e tyre. Problem tjetër janë edhe arsyet që do t’i shtynin të rinjtë të bëhen pjesë e partive politike.
Lidhur me sjelljet dhe qëndrimet e votuesve të rinj, punësimi dhe avancimi më i lehtë në karrierë janë arsyeja e parë, respektivisht e tretë, që do t’i shtynte të rinjtë të anëtarësohen në parti politike. Këto dy arsyetime mund t’i atribohen kryesisht qasjes së përdorur deri më tani nga partitë politike, që nëpërmjet punësimeve partiake kanë demotivuar të rinjtë për t’u përfshirë në parti që të shtyjnë përpara interesat e të rinjve. Ndërsa, dëshira për të kontribuar në çështje që janë me interes për të rinjtë, që idealisht do të duhej të jetë arsyeja kryesore është listuar si arsyeja e dytë që do t’i shtynte të rinjtë të anëtarësohen në parti politike. Thënë kushtimisht, pa ndryshimin e kësaj renditje, angazhimi, roli dhe ndikimi i të rinjve në formësimin e politikave brenda partive do të vazhdoj të jetë margjinal dhe simbolik. E për një ndryshim të tillë, nevojitet punë e përkushtim sidomos nga partitë politike, por edhe nga vetë të rinjtë. Të rinjtë duhet t’a kenë parasysh që partitë politike kanë po aq nevojë për të rinjtë, sa kanë të rinjtë nevojë për to, në mos më shumë. Sa më shumë të rinj në kuadër të partive politike, ato rrisin elektoratin dhe potencialin për të fituar elektorat të ri. Në anën tjetër, sa më shumë të rinj të angazhuar në parti politike, aq më shumë pikëpamje të tyre do të mund të përkthehen në programe politike që pastaj do të përmirësonin situatën e të rinjve.
Duhet theksuar po ashtu që tendenca e angazhimit të të rinjve kryesisht nëpërmjet forumeve apo grupeve rinore, që i kanë pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë ka dy anë të monedhës. E para dhe me premisa negative është që bazuar në praktikën e deritanishme, forumet e të rinjve të partive politike janë përdorur kryesisht për aktivitete simbolike dhe kanë pasur rol krejtësisht margjinal në kuadër të partive politike. Madje, nuk do të ishte e pasinqertë nëse thuhet që të njëjtit nuk kanë qenë pothuajse asnjëherë pjesë e krijimit të qëndrimeve të partive lidhur me politika apo çështje të caktuara, që janë vlerësuar të një niveli më të lartë politik. Ndërsa e dyta, ekzistimi i këtyre forumeve apo grupeve mund të shfrytëzohet për formësim politik të të rinjve, që pastaj të marrin edhe role udhëheqëse si dhe për të nxjerrë sa më shumë ide për hartimin e politikave publike, që pastaj përkthehen në programe politike dhe pashmangshëm do të influencojnë edhe të rinjtë.
Megjithatë, duke marr në konsideratë përvojën e deri tanishme në Kosovë përfshirja aktive e të rinjve në politikë në përgjithësi e në parti politike në veçanti pa reformim të këtyre të fundit në drejtim të çmargjinalizimit të rolit të të rinjve brenda partive politike është e predispozuar që të jetë me efekte shumë të zbehta. Pra, është koha që të rinjtë të mos mjaftohen me të qenit “e ardhmja” e vendit. Për të qenë edhe “e tashmja”, nevojitet një angazhim i pandërprerë i të rinjve, posaçërisht në parti politike për të shtyrë në vazhdimësi përpara interesat e tyre. Kërkimi që është i informuar në mënyrë zhvillimore dhe kulturore dhe që përdorë skema studimore rigoroze mund të identifikojë në mënyrë më efektive atë që përcakton formimin dhe rritjen e angazhimit politik të të rinjve. Pjesëmarrja e të rinjve në politikë është një nga proceset më të rëndësishme për një vend, pasi që në njërën anë përgatitet një klasë e re politike dhe nga ana tjetër në vendet me probleme që ndodhën në fazën e tranzicionit atëher të rinjtë duhet të flasin për çështjet e tyre.
Në programet e partive politike në Kosovë sigurisht që figurojnë edhe problemet e rinisë, por sa zbatohen apo implementohen ato programe? Në fakt, këto programe që definojnë problemet e rinisë nuk po implementohet në mënyrë të kënaqshme. Por, që koha më e mirë kur të rinjtë duhet të hynë në politikë është kur një i ri kalon 20 vjet ose pasi ai ta ketë të kryer fakultetin. Mendoj kështu se në këtë moshë as nuk shpenzohet hapësira kohore për të përfunduar studimet dhe ka kohë të mjaftueshme për t’u marrë më shumë me ato gjëra që konsiderohen si çështje mjaft sfiduese për vendin. Të rinjtë në parti politike duhet të inkuadrohen pasi ata vetë t’i kenë të qarta idetë e tyre në atë rrafsh. Ndërsa sipas praktikave të mira të pjesëmarrjes qytetare në procesin e vendimarrjes si bartës kryesor i pjesëmarrjes qytetare është padyshim avokimi për interesa të caktuara. Ndërsa në mënyrë më të përmbledhur pjesëmarrja në proceset e vendimmarrjes nënkupton një mundësi për qytetarët dhe palët tjera të interesuara që të ndikojnë në zhvillimet e politikave dhe ligjeve të cilat kanë ndikim tek këto palë.