Mjedisi mund të jetojë pa ne, por ne nuk mund të jetojmë pa atë. Sot cilido nga ne në një ambient të caktuar zhvillon veprimtarinë e tij jetësore. Çdo gjë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me njeriun ndikon në mënyrë të padiskutueshme në ambientin e tij. Çdo ditë ne po bëhemi gjithmonë e më shumë të papërgjegjshëm për të mbrojtur mjedisin, duket sikur po kujdesemi për të, por në të vërtetë po e shkatërrojmë.
Duke u fokusuar gjithmonë e më shumë tek ambiciet e tij se si të fitojë më shumë para, njeriu po e anashkalon kujdesin kundrejt ekuilibrave natyrorë. Përkeqësimi i gjendjes së mjedisit dhe cilësisë së jetës është në rritje, ndotja e tokës, ujit dhe e ajrit po e dëmton atë, e gradualisht po shkatërrohen ekosistemet dhe habitatet natyrore të kafshëve dhe bimëve. Dëmtimi i njëpasnjëshëm i florës dhe faunës po shkon drejt degradimit ku çdo ditë po humbasim gjërat më të shtrenjta e të veçanta të këtij mjedisi. Duke e parë rëndësinë e mjedisit, të lind nevoja për ta mbrojtur e kujdesur sa më shumë, por fatkeqësisht nuk po e kuptojmë se sa shumë po e dëmtojmë atë, vetën, të ardhmen tonë por edhe të pasardhëseve tanë. Edhe pse njeriu e shfrytëzon tokën në favor të interesave të tij, gjatë përdorimit kostot mjedisore mund të minimizohen për të mos e shkatërruar plotësisht mjedisin. Ndotja e mjedisit, paraqet ndotjen e sipërfaqes natyrore të tokës përmes aktiviteteve industriale, komerciale, bujqësore apo dhe shtëpiake.
Një ndër mënyrat më të mira për të ndaluar katastrofën që po i afrohet mjedisit është përmes menaxhimit të mbeturinave në mënyrë të organizuar por edhe të shfrytëzimit të tokës dhe praktikave adekuate bujqësore në mënyrën sa më pak të dëmshme dhe pse jo të mos luajnë një rol në favor të mjedisit. Pasi teknologjia përmes arritjeve të saj në çdo fushë mund të bëjë që të krijohen mjaft mirë këto mekanizma që përmes këtyre veprimtarive të kthehen në funksion të mbrojtjes së mjedisit. Jemi koshient që rastet e ndotjes së mjedisit në format më të ndryshme janë të shumta dhe jo të gjithë njerëzit apo institucionet veprojnë me përgjegjësi në mënyre për ta ndaluar këtë gjë së ndodhuri.
Disa mundohen që të zhvillojnë veprimtari mbrojtëse ndërsa të tjerë e shfrytëzojnë në mënyrat më barbare. Rasti më barbar është ai i shkatërrimit të kanioneve për të ndërtuar hidrocentrale, i lumenjve duke i kthyer në diga apo vend grumbullime mbeturinash. Të gjithë këtë e bëjnë duke harruar se çfarë vlere apo pasurie mund të mbartin këto vende dhe se nesër me pak investim, përkujdesje e jo shkatërrim mund të kthehen në një atraksion të madh turistik. Sot janë të pakta edhe hapësirat publike për të rinjtë, për të kaluar kohë së bashku edhe ato pak hapësira që mund të gjesh mund të jenë drejt një planifikimi për tu fshirë fare nga harta. Ky nuk është një problem, jo vetëm për të rinjtë por për çdo grup moshë që ka të drejtën për të pasur akses në hapësira publike rekreative.
Shoqëritë në çdo vend të botës po përballen me probleme nga më të ndryshmet si ato ekonomike, sociale, kulturore dhe politike. Megjithatë, problemet e lidhura me mjedisin lihen në harresë ose kujtohen vetëm në data të caktuara që janë simbolike për respektimin e mjedisit. Në çdo ditë tjetër, mjedisi lihet në harresë deri në një moment në të cilin do të jetë shumë vonë për të reaguar për ta shpëtuar atë dhe vetën tonë. Siç ndodh për çdo gjë tjetër, ja dimë vlerën vetëm kur e humbasim, ashtu po ndodh edhe me mjedisin. Jemi ne që po e çojmë në këtë stad, po shkatërrojmë të ardhmen e gjithsecilit pa e kuptuar se nuk do të ketë një mundësi të dytë për kthim pas. Prandaj kemi nevojë për më shumë ndërgjegjësim shoqëror dhe personal që të rrisim vëmendjen dhe kujdesin e shtëpisë tonë të madhe, mjedisit.
Eda Aga, Tiranë, Shqipëri
Naslov