Autore: Ersilda Preka
Pjesëmarrja në vendim-marrje është një term i gjerë që përfshin disa kuptime të pjesëmarrjes në jetën politike, ekonomike dhe sociale. Rinia ka forcën për të sjell ndryshime revolucionare, të ndërtojë të ardhmen, dhe të ndihmojë në zhvillimin e shoqërisë. Nismat rinore janë një pjesë e rëndësishme për përfshirjen direkte dhe angazhimin qytetar të të rinjve në komunitet. Pjesëmarrja e të rinjve në politike është një çështje sa publike aq edhe private. Është një çështje publike, pasi ka të bëjë me qasjen që ka qeverisja në tërësi, institucionet publike, partitë politike dhe shoqëria ndaj të rinjve dhe hapësirës që i lihet të rinjve për të vepruar, për të marrë pjesë apo për të qenë të përfaqësuar. Çështja është edhe private, pasi mësimet dhe eksperiencat e përfituara nga të rinjtë shërbejnë si udhërrëfyes në jetën e tyre drejt angazhimit civil apo politik në nisma shoqërore dhe kërkimit të mundësive për përfaqësimin e interesave të të rinjve të tjerë në politikë apo vendim-marrje.
Disa nga faktorët që ndikojnë në nivelin dhe cilësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje janë:
- Të rinjtë përbëjnë ¼ e popullsisë në Shqipëri;
- Nevoja për të sjellë frymë të re në politikë, një frymë më bashkohore për të çliruar qarqet e mbyllura të politike;
- Nevoja që shoqëria të aktivizoje një nivel të ri politikash në bazë të meritave dhe vlerave individuale;
- Adresimi i pasivitetit në angazhimin politik, duke filluar që nga pjesëmarrja aktive e të rinjve në zgjedhje;
- Ndryshimi i mjedisit shoqëror i cili është i polarizuar.
Ekziston edhe një lidhje mes bindjeve politike të të rinjve dhe atyre të familjes si edhe fenomenit të aktivizmit të tyre në politike si rrjedhojë e nevojës për punësim. Edhe pse në krahasim me më parë kemi një rritje të konsiderueshme të numrit të të rinjve që angazhohen në politikë. Nga shumë të rinj angazhimi në politike konsiderohet si e vetmja mundësi për të gjetur punësim apo për të ndërtuar të ardhmen.
Vihet re se të rinjtë shqiptarë kanë më shumë tendencë të përfshihen në iniciativa dhe aktivitete të organizuara nga partitë kryesore sesa nga komuniteti apo shoqëria civile. Pavarësisht formave të ndryshme të kontributit politik dhe synimeve që gjithsecili kërkon të arrijë përmes politikës, përfshirja e brezit të ri, përpos frymës së re përçon edhe domosdoshmërinë për përmirësimin e politikave. Angazhimi i të rinjve në takimet elektorale, i imponon politikanet të kthejnë sytë tek ata dhe kërkesat e tyre.
Nga ana tjetër, përfshirja e të rinjve në partitë politike mund të rrisë ose reduktojë angazhimin e tyre politik, në varësi të përvojës së tyre. Një nga arsyet që i dekurajon të rinjtë dhe i largon nga politika është mjedisi jo miqësor brenda kahut politik, por edhe lufta për pushtet e cila krijon përshtypje negative lidhur me politikën si një mjet në dobi të interesit politik. Shkelja e vlerave dhe e parimeve për hir të përfitimeve personale, kalimi nga një forcë politike në tjetrën, ngjizja jo-organike e koalicioneve partiake si dhe mos reflektimi i pjekurisë politike shuajnë besimin e të rinjve tek politika. Edhe vete ligjërimi apo diskursi i ashpër politik në vend të frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit kultivon ndjenjën e përçarjes dhe urrejtjes.
Nga disa gjetje të studimeve mbi të rinjtë shqiptare mund të përmendën:
- Origjina rurale apo urbane si dhe prejardhja krahinore janë 2 faktorët kryesor të diskriminimit që hasin të rinjtë;
- Vetëm 16% të rinjve janë të përfshirë në aktivitete vullnetare;
- Të rinjtë në Shqipëri nuk janë shumë të interesuar mbi zhvillimet politike në vend, pasi besojnë se vota apo pjesëmarrja e tyre në votime nuk ka ndonjë ndikim në mënyrën se si do të qeveriset.
Një komb është demokratik deri në masën që qytetaret e tij janë të përfshirë veçanërisht në nivel komunitar. Përfaqësimi i të rinjve në jetën politike dhe sidomos në strukturat e qeverisjes vendore mbetet në nivele tepër të ulëta. Përfaqësimi i tyre bëhet jo sipas ligjeve apo vendimeve në fuqi, por shumë herë sipas njohjeve personale të drejtuesve të partive politike. Pjesëmarrja aktive e të rinjve në procesin zgjedhor dhe sidomos e votuesve për herë të parë ka ardhur gjithmonë e në rënie. Edhe pse ekzistojnë një numër i madh organizatash rinore në vend, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë mangësi në organizim, lidershipi, shkrim dhe menaxhim projektesh.
Për më tepër, nga një studim tjetër për të rinjtë, ata tregojnë një mosbesim të madh ndaj politikes. Vetëm 10% janë të interesuar për politiken dhe besojnë, ndërsa nga ana tjetër më pak se 10% besojnë se vota e tyre ka rëndësi. Të rinjtë shqiptare janë mjaft aktive në procese zgjedhore; ata marrin pjesë neper fushata dhe 93% votojnë rregullisht, por vetëm 3% ndihen të përfaqësuar në politik. Rina nuk beson në partitë politike, por ato anëtarësohen në to vetëm për të gjetur një pune, dhe ky është pragmatizëm i pastër. Ky është një nga problematikat kryesore me të cilat përballen të rinjtë. Ata kanë besim tek aftësitë e tyre, por njëherazi kanë nevojë për mundësi punësimi të qëndrueshme për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Pavarësisht se ju nuk shfaqni interes për politiken kjo nuk do të thotë që politika, nuk është e interesuar për ju” – Perikliu