Arbër Fetahu
GLPS
Pandemia COVID-19 ka ndikuar në shumë sfera të jetës duke ndryshuar rrjedhën normale të gjërave. Padyshim, efektet e pandemisë janë vërejtur edhe në procesin e integrimit evropian.
Shtetet anëtare të BE-së janë duke u sfiduar me krizën më të madhe shëndetësore dhe ekonomike ndër shekuj. Përpos tjerash, vendet kandidate dhe ato që mëtojnë të jenë kandidate të BE-së, janë duke u përballur me sfida atipike nga pandemia COVID-19. Pyetja se a do ta ndikoj pandemia në procesin e integrimit nuk vihet në dyshim, çështja është sa shumë dhe në çfarë forme?
Në rastin e Kosovës, dëmi më i madh është bërë me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) e cila është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në. MSA mbulon të gjitha sferat e qeverisjes, dhe vendos kornizën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së deri në anëtarësim të plotë në BE. Mbi këtë bazë, BE-ja siguron që mekanizmat qeverisës të një vendi që synon të bëhet anëtar t’i përmbush standardet e entitetit evropian.
Thënë këtë, viti 2020 mund të konsiderohet si vit i humbur në aspektin e implementimit të aktiviteteve të MSA-së dhe prioriteteve të vëna. Reformat në arsim, shëndetësi, luftimi i krimit dhe korrupsionit e reformimi i gjyqësorit nuk janë më prioritetet kryesore të Kosovës.
Lufta me pandeminë, me shpëtimin e jetëve si emërues të përbashkët, përbën korpusin kryesor të jetës sociale dhe politike. Mbi këtë premisë, medoemos procesi i integrimit do pësoj vonesa i cili do të kete impakt negativ afatgjatë.
Reformat në çdo sferë do jenë më vështirë të zbatueshme. Në fakt, Kosova në kushte normale ka shënuar ngecje në implementimin e aktiviteteve dhe përmbushjeve të prioriteteve të MSA-së. Viti 2019 ka shënuar nivelin më të ulët të implementimit të MSA-së që nga hyrja në fuqi më 2016. Me zhvillimet e reja të krijuara si rezultat i pandemisë, 2020 mund ta arrij një rekord të ri negativ.
Ndikimi i COVID-19 mund të ketë implikime në funksionimin demokratik të institucioneve qendrore dhe jetës politike në përgjithësi. Kjo vihet në shprehje më shumë në vende me demokraci jo tërësisht të konsoliduara si rasti i Kosovës dhe shumicës së vendeve të rajonit. Në një periudhë më të gjatë me dominim të COVID-19, edhe tendenca për keqpërdorim të pushtetit është më e madhe.
Shikuar në nivelin global të analizës, Kosova mund të mos ta ketë vëmendjen e plotë të BE-së dhe shteteve anëtare për procesin e integrimit. Me ekonomi në rënie e shëndetësi të rënduar, vendet anëtare së pari do të fokusohen në zgjidhjen e problemeve të tyre, ndërsa Kosova dhe vendet e rajonit do të jenë në radarin e BE-së në rikuperimin e dëmeve nga pandemia. Procesi i zgjerimit mund të merr kohë të kthehet si agjendë e rëndësishme e BE-së, dhe kjo vlenë për tërë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndonëse një paketë ndihme prej €3.3 miliardë do të ndahet në dobi të rajonit, krahas një plani për rikuperim pas pandemisë me vlerë mbi €1.5 miliardë nga Banka Evropiane e Investimeve. Ky është një zhvillim pozitiv që shenjon praninë e BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Veçse, jo domosdoshmërisht garanton përshpejtim e vazhdimësi të njëjtë të procesit të integrimit.
Samiti i Zagrebit i mbajtur virtualisht më 6 maj 2020, ishte indikator domethënës i reflektimit të pandemisë COVID-19 dhe ndikimit që do ta ketë për rajonin në përgjithësi në dritën e procesit të zgjerimit. Samiti ishte parashikuar fillimisht si një mundësi kushtuar politikës së zgjerimit dhe arritjes së përparimit të mëtutjeshëm nga vendet kandidate dhe ato vende potenciale për kandidaturë. Por, objektivat e Samitit të Zagrebit u shpartalluan nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.
Agjenda kësisoj u përshtat dhe u zhvillua rreth tre segmenteve: përgjigjet ndaj krizës shëndetësore dhe plani i rikuperimit, perspektiva evropiane e rajonit dhe angazhimi i vendeve te Ballkanit Perëndimor për reformat. Për më tepër, në deklaratën e përbashkët askund nuk u përfshi termi zgjerim ose anëtarësim. Pandemia do ta zgjasë procesin e negociatave për vendet kandidate si dhe do shkaktojë vonesa në implemntimin e acquis communautaire dhe përmbushjen e reformave të kërkuara nga ky proces.
Përderisa, ndihma financiare e BE-së dhe angazhimi në përballimin e krizës mund të ofrojë një përafrim me vendet e rajonit dhe Kosovën në veçanti, procesi i integrimit dhe anëtarësimi nuk do të jetë një prioritet evropian për muajt, dhe ndoshta vitet në vijim. Në këtë dimension, impakti negativ afatgjatë i COVID-19 do të rëndojë mbi vendet e rajonit dhe Kosovës. Me këtë ritëm duket se pika përbashkuese e vendeve anëtare do jetë ‘pandemia e para’.
Bazuar në situatën aktuale duket se në muajt e vitet në vijim COVID-19 do të jetë forca shtyse politike, ekonomike, sociale e ambientaliste e agjendës së BE-së. Në këtë skenar, pandemia do ta ndikojë në një periudhë afatgjatë Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.
Në aspketin e brendshëm do të ketë vonesa në implementim të reformave, kushteve dhe detyrimeve të vëna nga BE, dhe në aspektin e jashtëm, BE-ja nuk do ta ketë prioritet parësor procesin e integrimit evropian për këto shtete.
Ndikimi i pandemisë COVID-19 në këtë drejtim do të jetë me formë dhe përmbajtje. Parashikueshmëria e implikimeve afatgjate është vështirë të matet, por treguesit e parë nuk janë shpresëdhënës.