ERESTINA DASHI
Studente, Universiteti Aleksandër Moisiu, Durres
Liria e shprehjes është një nga të drejtat themelore të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Lirive Themelore dhe si e tillë është baza e demokracisë dhe e mirëqenies të një populli. Po ashtu liria e shprehjes në median sociale është e pakufizuar. Të shprehurit të mendimit si verbalisht por edhe joverbalisht (siç janë mediat sociale) kanë një lloj përgjegjësie morale te secili individ. Të gjithë mendimin tonë e shprehim lirisht , trajtojmë tema sociale në këto media dhe e shohim si një urë komunikimi shumë më të thjeshtë kur kemi të bëjmë me një grup më të gjerë njerëzish.
Sot rëndësia e këtyre mediave sa vjen dhe fuqizohet. Influenca tek individë te caktuar ka risk më të lartë. Personazhet publike janë më të ndjekur në këto media dhe si të tillë opinioni e mendimi i tyre sjell reagime te shumta. Por a cenon ky mendim i “lirë” individë, apo ndikon pozitivisht një rrymë të caktuar shoqëror? A ka reagime pozitive apo më shumë kritika e sulme ndaj një opinioni? Çfarë fenomeni zotëron në rast kur ka sulme në këto media? Sa siguri ka dhe a ndikojnë sulmet kibernetike në gjendjen emocionale të individit që e shpreh? Këto janë pyetje shtrohen vazhdimisht, në një formë a në një tjetër.
Epoka digjitale ka shtrirë në horizontin e saj çdo dimension social të njeriut dhe jo vetëm. Njeriun e kësaj epoke do ta quaja “kafsha e inteligjencës artificiale”. Çdo ditë e më tepër po robotizojmë çdo drejtim të mundshëm te jetës me teknologji. Komunikimi po ndodh me tepër me teknologjinë. Çdo drejtim i mundshëm i jetës së njeriut ka të bëjë po me teknologjinë. A është gjë e mirë apo e keqe?! Po ja, këtu vlen shprehja “ Çdo e mirë në këtë botë e ka të keqen nga mbrapa”. Sigurisht që lehtësimi që i ka dhënë teknologjia jetesës së njeriut, komunikim pa kufizim hapësinor dhe vdekja e distancës janë benefite shumë pozitive.
Nga ana tjetër po shkatërron disa emocione të vërteta që njeriu përjeton, dhe po shmanget komunikimi verbal. Kjo po ndodh dita ditës sepse media sociale i jep liri më shumë te të shprehurit edhe pa e shfaqur identitetin e vërtetë. Aty tregohet ana pozitive e të menduarit të gjërave lirshëm, por nga ana tjetër njerëzit po shfryjnë “dufin” e halleve të përditshme, e në këtë mënyrë cenojnë identitetin e dikujt tjetër!
Të rinjtë sa vjen dhe po bëhen çdo ditë e më të varur dhe të afeksionuar pas rrjeteve sociale dhe dhënies së opinioneve në to. Po ashtu sot po mbizotëron fenomeni i sulmit kibernetik, që cenon personin që shpreh lirshëm mendimin e tij (por ky fundit pa dhënë opinione keqdashëse që cenojnë individë, grupe apo një komunitet të caktuar).
Adoleshentët janë sot pika kyçe e kësaj hallke problematike siç është sulmi kibernetik sepse ata janë më të pambrojtur! Madje nuk mund ta konsiderojmë mendim të lirë sulmin psikologjik në mediat sociale, pavarësisht se kjo nuk dënohet me ligi në shumë vende, është diçka e pa tolerueshme! Sepse cenon identitetin, mirëqenien dhe psikikën e çdo individi!
Pavarësisht se liria e fjalës ekziston por keqinterpretimi dhe keqpërdorimi i saj mund të lërë pasoja te pashmangshme te individë të tjerë. Kritikat janë të pranueshme në çdo shoqëri por liria e fjalës së shprehur mbaron aty ku cenohet individi tjetër.