Autore: Anxhela Bruci
“Kemi një përgjigje për gjithçka”, ose të paktën kjo është ajo që motorët e kërkimit po përpiqen të japin si mesazh duke siguruar informacion të pafund nga burime të ndryshme, herë anonime dhe herë të tjera të pavërteta. Aspekti më shqetësues qëndron tek dëmi që lajme dhe informacione të tillë u shkaktohet personave të targetuar. Vajzat dhe gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe minoritetet janë ndër më të rrezikuarit kur bëhet fjalë për mbulimin mediatik.
Ekziston një tendencë për të portretizuar vajzat dhe gratë si të pafuqishme dhe me njohuri vetëm në fusha specifike që bien në kufijtë e stereotipave gjinore. Për shembull, një studim mbi pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në programet televizive zbuloi se afërsisht më shumë se 73% e panelistëve të ftuar janë burra, ndërsa më pak se 27% gra. Ky hendek rritet kur bëhet fjalë për diskutime televizive lidhur me çështje politike dhe sigurinë, në të cilat pjesëmarrja aktive e vajzave dhe grave si paneliste është e ulët.
Fuqia e padukshme e gjuhës
Ekziston një shprehje e vjetër në shqip që thotë se “gjuha kocka s’ka, por kocka thyhen”, fjala ka fuqi të jashtëzakonshme, veçanërisht me rritjen e përdorimit të teknologjisë dhe mediave sociale. Gjuha e urrejtjes dhe përdorimi i terminologjisë seksiste janë ndër mënyrat jo etike të shfaqjes së fuqisë së pabarabartë midis grave dhe burrave. Mënyra të tilla shtojnë margjinalizimin e vajzave dhe grave në shoqëri dhe krijojnë pengesa të padukshme në procesin e tyre të fuqizimit.
Media ka një rol vendimtar në përforcimin ose zvogëlimin e stereotipave dhe diskriminimit ndaj grupeve të cenueshme dhe temave specifike. Disa nga mjetet që media përdor për të nxitur vëmendjen e audiencës janë tituj dhe komente provokuese, dhe përdorimi i gjuhës seksiste dhe diskriminuese. Në një shoqëri patriarkale siç është Shqipëria, tituj të tillë pengojnë përparimin e të drejtave të grave dhe kërcënojnë pozitën e tyre në shoqëri. Rastet e seksizmit në media janë të përhapura edhe në Shqipëri, ato mund të vërehen masivisht në lajmet e portaleve online, reklama, shfaqje televizive dhe diskutime në panele televizive.
Media në përgjithësi, me një theks të veçantë në portalet, ka tendencë të objektivizojë dhe etiketojë gratë bazuar në mënyrën se si ato vishen, formën e trupit të tyre dhe shumë aspekte të tjera që nuk duhet të përcaktojnë aftësinë e një personi. Rastet e grave gazetare të përballura me komente fyese dhe diskriminuese janë shënuar në momente të ndryshme, shpesh te lëna në harrese pas ditës së tretë të lajmit. Nuk është diçka e re të shohësh të ekspozuar jetën personale të vajzave dhe grave, veçanërisht për ato të përfshira në fushën mediatike. Përdorimi i sulmeve personale si një formë devijimi nga argumenti kryesor mundëson portalet online për të bërë tituj tërheqës dhe thellon hendekun e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në jetën publike.
Të jesh e fuqishme… dhe grua?
Ka pak raste të njohura të grave në poste të larta ekzekutive në Shqipëri, në krahasim me ato të burrave. Për shembull, nga një statistik e vitit 2018, 25.7% e bizneseve në Shqipëri janë drejtuar nga gratë. Për më tepër, në shumicën e rasteve, programet televizive portretizojnë vajzat dhe gratë në kufijtë e një kornize patriarkale duke u thirrur si folëse ose moderatore për tema të tilla si “recetat më të mira” “sekretet për të larë në mënyrë të përsosur rrobat” “si të humbni celulitin në 20 ditë”. Rrëfimet e njëanshme kontribuojnë në një sfidë të vazhdueshme për fuqizimin e grave dhe promovojnë modele stereotipike gjinore që bëhen standardi sesi duhet të jetë roli i vajzave dhe grave.
Si mund të ecim drejt një mjedisi mediatik të emancipuar kur “standardi” për të pasur vëmendjen e medias është duke u bërë “viktimë” ose shkelës i normave? Ka histori të shumta frymëzuese dhe të lidhura me fuqizimin e vajzave dhe grave në Shqipëri, ato nuk kanë nevojë për një zë për t’u dëgjuar, por për një hapësirë tëe hapur mediatike që pranon diversitetin dhe promovon përfshirjen.