Aurel Haxhiu
Student i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikave Krahasuese
Univerziteti i Salzburgut
Njëra nga masat më të rëndësishme të natyrës së demokracisë të bazuar në parti është lidhja e publikut me partitë politike (R. J. Dalton, 2000). Proceset e modernizimit politik çojnë shpesh në ndryshime të marrëdhënies së qytetarëve me politikën. Kështu që, çështja kryesore e analizuar është nëse parti-zënia (përkatësia partiake) në demokracitë bashkëkohore është duke ndryshuar në përgjithësi, e në veçanti në Kosovë, një shtet të ri i cili më 14 shkurt 2021 i mbajti zgjedhjet e tij të fundit. Identifikimi në parti i lidh individët me partinë e tyre të preferuar politike, si dhe me sistemin e demokracisë partiake. Identifikimi me partinë gjithashtu i ndihmon individit për t’u orientuar në ndërlikueshmërinë e politikës dhe për të siguruar një kornizë për përvetësimin e informacionit politik, kuptimin e çështjeve politike, marrjen e gjykimeve politike, mobilizimin e njerëzve për të qenë pjesë e partive dhe për të marrë pjesë në zgjedhje. Sidoqoftë, edhe pse kjo i ka këto efekte, ne nuk mund t’ju shpëtojmë braktisjeve nga elektorati dhe kjo është e lidhur me kriza të jashtëzakonshme politike si dhe në sistemet partiake është shfaqur ky lloj trendi. Teza e braktisjes nga elektorati argumenton se kjo tendencë është zhvilluar për shkak të një kombinimi faktorësh individualë dhe sistemikë. Rritja e niveleve arsimore dhe rritja e mas-mediave, organizatave joqeveritare, u japin njerëzve më shumë informacion në lidhje me botën politike dhe burimet për t’u bërë të vetë-mjaftueshëm në politikë.
Në rastin e zgjedhjeve të 2021 në Kosovë, këto mund të mos jenë arsyet e vetme, këtij fakti ne mund t’i shtojmë varietetin e dështimeve të qeverive të mëparshme, korrupsioni, nepotizmi, rrëzimin e qeverisë në vitin 2019 gjatë pandemisë. Studimi i Dalton në vitin 2000, dëshmon se identifikimet me partitë po dobësohen në shumicën e demokracive. Ne mund të zbulojmë se qytetaria po ndryshon dhe si rezultat, partitë politike nuk po zhvillojnë lidhje të reja midis të rinjve dhe jo-partizanët e rinj janë tërhequr nga më të arsimuarit dhe më të sofistikuarit politikisht. Duke krahasuar zgjedhjet e 2021, me të gjitha zgjedhjet e tjera në Kosovë, ne mund të shohim ngritje dhe zbritje në përqindje për disa parti, ky është vetëm një fakt që votuesit duket se janë “të ftohtë” para kutisë së votimit, ata kërkojnë ndryshim. Gjithashtu, një rol të madh e luan performanca me politikat e cila e zvogëlon parti-zënien. Megjithatë, ajo gjithashtu ka pasojat e saj, një nga më të dukshmet është ndikimi në sjelljen e elektoratit. Parti-zënia ofron një predispozitë të qëndrueshme e cila i udhëheq preferencat e votuesve, partizanët votojnë për partinë e tyre” me besimin se partia dhe kandidatët e saj e përfaqësojnë më së miri interesin e tyre. Me fillimin e dobësimit të parti-zënies, u rrit paqëndrueshmëria, u formuan parti të reja, dhe gjithashtu hynë në skenë sfida të reja politike. Në çdo komb u shfaq një tendencë në rritje e raportimit të votuesve që e ndryshojnë votën në zgjedhje të ndryshme, sidomos në kombet ku dobësimi i lidhjes me partitë ka qenë më i madh, është rritur raportimi për gatishmërinë e votuesve për të zhvendosur votat përgjatë zgjedhjeve të ndryshme. Pati një rritje të dukshme të ndarjes së fletë-votimeve (votimi i një liste të përbashkët) midis një kandidati presidencial të një partie dhe një kandidati për kongres të një partie tjetër, megjithatë, kjo gjithashtu varet nga sistemi zgjedhor dhe politik që kanë vendet. Në rastin e Kosovës, momenti për dikë që të marrë vendimin për votim ndryshon, votuesit me një identitet partizan hyjnë në fushata zgjedhore me predispozita të qëndrueshme partizane; megjithatë, me kalimin e kohës votuesit kishin më pak të ngjarë të hynin në zgjedhje me predispozita të qëndrueshme partiake. Një fakt tjetër i këtij ndryshimi mund t’u shtohet disa komunave që në zgjedhjet e kaluara kanë qenë të njohura si bastione të një partie politike X ose Y. Ndërkohë që në mesin e elektoratit parti-zënia dobësohet, votuesit duhet të marrin parasysh faktorë tjerë në procesin e tyre të vendimmarrjes (R. J. Dalton, 2000). Një nga faktorët është politikat e përqendruara në kandidatë, edhe pse kjo është më e qartë në sistemin presidencial sesa në sistemin parlamentar. Sidoqoftë, në sistemet parlamentare, me kalimin e kohës është rritur ndërlidhja mes kandidatit të preferuar dhe votës, por, në Kosovë mund të themi se kjo pati një ndikim të madhor. Braktisjet nga elektorati mund të ndikojnë gjithashtu në përfshirjen e qytetarëve në fushatat zgjedhore, megjithatë, në demokracitë perëndimore është rritur interesi politik në përgjithësi, por, ne mund të vërejmë një rënie të përgjithshme të pjesëmarrjes në aktivitetin e fushatës elektorale (këtu, le të shtojmë shkakun e COVID-19). Braktisja nga elektorati partiak i ka dobësuar lidhjet e publikut bashkëkohor me partitë dhe kjo po jep efektet përkatëse në modelet e sjelljes politike. Më pak votues shkojnë në zgjedhje me predispozita partiake në këmbë, kështu që mund të themi se besnikëritë partiake janë më të dobëta. Sidoqoftë, ky nuk është një studim që mund t’i besojmë sepse nuk është përdorur ndonjë metodologji përveç mendimeve të mia. Në të ardhmen, ne duhet t’i shohim nga afër zgjedhjet në Kosovë dhe të konfirmojmë nëse ka ndonjë ndryshim në parti-zënie apo jo; nëse votuesit do të “ndëshkojnë” cilindo që nuk i arrin pritshmëritë dhe të votojnë më mirë në mënyrë racionale sesa emocionale.
Qytetarët e Kosovës duhet të jenë kritikë ndaj parregullsive të mundshme të qeverisë së ardhshme, t’i mbajnë llogaridhënës deputetët që i votuan për t’i përfaqësuar ata në Kuvend, gjithmonë t’i thonë jo nepotizmit dhe të raportojnë çdo korrupsion të mundshëm. Në kohët moderne, këto janë elementët ta cilat krijojnë qytetarë patriotë dhe gjithashtu e rrisin kulturën politike në vendin tonë.